AKSH: Do të hyjmë në luftë me Serbinë
Armata Kombëtare Shqiptare është shfaqur sërish, tani në Vushtrri. Ajo ka shpallur mobilizim të anëtarëve të vet, të nxitur, siç kanë thënë anëtarët e Shtabit të AKSH-së për Kosovë, “nga kërcënimet serbe se do ta ndajnë një pjesë të territorit të Kosovës dhe kërcënimeve për ta larguar me forcë lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë”.
Në një takim që është mbajtur më 9 janar 2013, në Vushtrri, Shtabi i AKSH-së, zona nr. 2, Kosovë, ka marrë vendim për mobilizimin e të gjithë eprorëve dhe pjesëtarëve të vet. Në vendim, thuhet ndër të tjera, “se AKSH, Njësia Speciale “Kobra”, duke parë gjendjen e tensionuar në Luginën e Preshevës dhe në veriun e Republikës së Kosovës, të shkaktuar nga Serbia fashizoide, mori vendim të prerë, që nga data 10 janar 2013, të shpallë mobilizimin e të gjithë pjesëtarëve të Armatës Kombëtare Shqiptare.
Pjesëtarët e AKSH-së duhet të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për t’i mbrojtur shqiptarët në trojet e tyre etnike, në mënyrë që çizmja e zezë e shkaut të mos shkelë kurrë në trojet shqiptare”. Vendimin e ka nënshkruar shefi i shtabit, kolonel “Kaçaku” si dhe komandanti i Njësisë Speciale “Kobra”, me gradën gjeneral.
Ndërkaq, në një deklaratë, e cila gazetës Zëri i ka arritur nëpërmes postës elektronike, kolenel Kaçaku ka thënë se AKSH-ja do t’i mbrojë shqiptarët kudo që kërcënohen nga politika fashizoide serbe dhe se në asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare nuk do të shkelë më çizmja serbe. “Serbia fashiste, është mësuar me represionin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Ajo i ka dëbuar shqiptarët nga trojet e veta, në Toplicë, ka vrarë burra, gra e fëmijë, e ka spastruar atë pjesë të tokës shqiptare, nga shqiptarët autoktonë, të cilët të pambrojtur dhe të pafuqishëm nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë spastrimit etnik serb.
Gjithashtu, Serbia është përpjekur që ta shfarosë popullin shqiptar në Kosovë, duke vrarë e masakruar, duke i përdhunuar femrat shqiptare dhe duke i dëbuar nga trojet e veta, gati 1 milion shqiptarë. Kjo politikë serbe e shfarosjes së një populli, ka vazhduar edhe pas lufte në veri të Mitrovicës, kur në sy të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, u vranë shumë shqiptarë, u plagosën shumë të tjerë, ndërsa 12 mijë u dëbuan nga shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratën e komandant Kaçakut, shkruan Zëri.
Sipas këtij të fundit, një gjë e tillë po ndodh edhe tani, kur Serbia po tenton ta ndajë një pjesë të Kosovës, ndërsa ka shtuar masa represive ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Me Serbinë patjetër do të hyjmë në luftë. Ajo akoma nuk dëshiron ta ketë të qartë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë toka shqiptare, të cilat nuk guxon t’i prekë askush. Shqiptarët atje nuk janë jetimë, ata ka kush t’i mbrojë. Janë edhe ata vetë të përgatitur që ta mbrojnë truallin e vet, por jemi edhe ne që do të na kenë pranë përherë. Politika gjenocidiale e Millosheviqit akoma dominon në Serbi, atë e zbatojnë pasardhësit e tij, por nuk do të arrijnë kurrë ta realizojnë atë që synojnë, e kjo është spastrimi etnik”, ka vijuar kolonel Kaçaku.
Për fund, ai i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë të kujdesshëm, ndërsa institucionet e Kosovës që të mos negociojnë dhe të mos bëjnë pazar me tokat e shqiptarëve./Indeksonline/