Nuk paraqitet fituesi, humbin 64 milionë stërlina të lotos

Deri në orën 23 të natës së enjtes ka pasur afat të paraqitej personi që kishte 5 të qëlluara në lotarinë britanike. Ai (ose ajo) e kishte mbushur tiketën e lotarisë më 5 qershor të këtij viti dhe, sipas rregullave, fitimi do të anulohej nëse nuk paraqitet deri më 5 dhjetor 2012. Pasi që as enjten kjo nuk ka ndodhur, jackpoti prej 63.8 milionë funtesh (ose afro 75 milionë euro) do të jepet për qëllime humanitare. Shifrat fatlume, ose të pafat, si do që të merret, kanë qenë: 5, 11, 22, 34, 40 dhe “yjet e fatit” (lucky stars) 5 e 2. Kompania e lotarisë e ka kërkuar me ngulm “fituesin” deri në ditën e fundit. Ajo madje ka publikuar edhe një poster dhe për këtë qëllim ka angazhuar edhe telallë për të bërë të ditur lajmin nëpër tregje! Për t`i rënë në gjurmë fituesit janë kontrolluar madje në mënyrë sistematike edhe kontejnerët e mbeturinave, transmeton Albinfo. Ajo që dihet është se bileta e lotarisë është blerë në regjionin Hertfordshire, në veri të Londrës.