Fundi i Botës arrin edhe në Kosovë

Para pak çastesh hymë në datën më të debatuar të këtij viti: 21.12.2012. Zelanda mbeti aty ku ishte, e as Kosova nuk lëvizi vendit: qëndroi stoikisht dhe i mundi të gjitha profecitë apokaliptike! Të mbijetosh “fundin e paralajmëruar të botës” nuk është gjë e vogël, sidomos kur dihet se Kosova ishte “epiqendra” e disa parashikimeve kataklizmike. Gjatë vitit 1999, për shembull, shumë “studiues” në botë kanë predikuar fundin e botës. Madje ata thoshin se Nostradamusi në librin e tij “Les Propheties” ka përmendur Kosovën. Sipas tyre, në korrik të vitit 1999, nga Kosova do të niste një luftë botërore kimike. Por, asgjë nuk doli nga kjo... Kiametin e ndërlidhur me Kosovën e përmendi këto ditë edhe portali amerikan “Popular”. Në një shkrim të tyre citohet “parashikimi tjetër” i Nostradamusit: “Dhe, do të vijë viti me numrin e djallit në drejtimin e kundërt (viti 1999 ka tre numra nëntëshe, të cilat në drejtimin e kundërt paraqesin tri gjashtëshe, respektivisht ‘numrin e Djallit’) dhe atëherë Djalli do të dëshirojë të krijojë një luftë botërore në mënyrë që 13 vjet më vonë e tërë bota të shkatërrohet”. “Maya-t kanë siguruar datën, serbët kushtin”, shkruan portali, sipas të cilit serbët nuk kanë ditur gjë për parashikimin e Nostradamusit, mirëpo më 1999 e kanë nxitur fundin e botës! Sidoqoftë, Kosova e dëshmoi të kundërtën, sepse, siç kanë thënë krerët e shtetit tonë: “Ne jemi faktor paqeje në rajon dhe më gjerë”! Dhe, për këtë dëshmi kemi ende. Kur kriza ekonomike kaploi Perëndimin, në rrjetet sociale qarkullonte ky “përkufizim”: “Kriza po sillet nëpër botë, e kur arrin në Kosovë do të thotë: Shtëpi, e ëmbla shtëpi”! Natyrisht, kjo thënie ndërlidhej me gjendjen e mjerë ekonomike në të cilën gjendet Kosova: varfëri dhe papunësi ekstreme, si dhe mungesë e perspektivës, sidomos për të rinjtë. Por, pushteti i Kosovës me “argumente” i hodhi poshtë këto fakte, sepse - siç thoshin ata - “Kosova është vendi më pak i prekur nga kriza ekonomike globale”. Krerët e Qeverisë së Kosovës po ashtu ka kohë që deklarojnë se kufijtë e vendit janë të paprekshëm. Madje, Kosova ka vënë regjim të vizave për 87 shtete. Pra, këtu nuk mundet me hy e me dalë kujt i teket (pos zyrtarëve serbë, nënkuptohet). Kështu që nuk është çudi nëse edhe fakti se kiameti na “anashkaloi”, do të merret edhe si një sukses i tyre (Qeverisë) i radhës. Mirëpo, të kthehemi tek Kalendari Maya, i cili përbëhej nga 13 periudha me nga rreth 394 vite, të ashtuquajtura baktune. Sipas ekspertëve, numërimi i viteve, bazuar në këtë kalendar, ka filluar më 3114 p.e.s., e baktuni 13, pra 5125 vite, duhet të përfundojnë më 21 dhjetor të këtij viti. Ata po ashtu vlerësojnë se numri 13 në kulturën Maya kishte kuptim të veçantë, gjë që edhe në këtë rast ajo paraqet një moment historik, por jo diçka përfundimtare, sepse profecitë e tyre nuk kishin kuptimin fatalist. Ndikimi i Civilizimit Maya ka lënë gjurmë Honduras, Belize, Guatemalë, El Salvador dhe Meksikë. Këto shtete janë në zonë tjetër kohore, 7-8 orë pas nesh. Kështu që mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në Amerikën e Mesme dhe atë Jugore... Nëse edhe ata shpëtojnë si ne, atëherë definitivisht po futemi në një moment historik. Pozitiv, natyrisht, sepse në të gjitha sondazhet shqiptari i Kosovës ka dalë të jetë më optimisti në botë. Prandaj, as 21 dhjetori nuk ka pse të jetë përjashtim. E për fund, meqë shpresa duhet të përmendet gjithnjë, atëherë le të shpresojmë njëmend se pas 21 dhjetorit tërë botën do ta presin ditë më të mira. Sidomos shqiptarët, kudo që janë ata.

Shkruar nga Telegrafi.com