Fansi i United padit gjyqtarin ne polici

Një adhurues 18-vjeçar i Manchester United, ka raportuar në polici gjyqtarin, Cuneyt Cakir sepse i tregoi kartonin e kuq idhullit të tij, Louis Nani. Adhuruesi ishte aq i mërzitur në lidhje me vendimin e gjyqtarit për përjashtimin e lojtarit portugez të 'Djajtë të Kuq', sa që vendosi për të raportuar rastin në policinë e Notinghamshire. Por, pasi morri disa sqarime nga autoritetet policore, adhuruesi i ‘çmendur’ i Unitedit më pastaj u kërkoi falje oficerëve të policisë për kohën që u kishte humbur atyre dhe me këtë rast, kundër 18-vjeçarit nuk është ngritur asnjë akuzë. Kryeinspektori i policisë së Notinghamshire, Ted Antil tha se adoleshenti mund të dënohej për raportimin e rremë, por që e kanë falur pasi që ai është i ri dhe nuk ishte në dijeni për veprën që po e bënte. "Adoleshenti nuk ishte në dijeni të pasojave për raportim të rrejshëm. Por, pasi morri sqarimet e duhura dhe na kërkoi falje, ne e liruam," tha Antil. Gjyqtari kryesor i ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Manchester United dhe Real Madrid, Cakir, në minutën e 56-të ka përjashtuar nga ndeshja portugezin e United, Nani, pas një ndërhyrje të ashpër kundër mbrojtësit të Realit, Alvaro Arbeloas.