Mblidhen 150 mijë euro për shërimin e Naronit

Në një email të dërguar në emailin e redaksisë së Telegrafi.com, nga Zgjim Sojeva - koordinator i iniciativës për ta ndihmuar shërimin e Naron Kçikut - konfirmohet se brenda vetëm shtatë ditëve janë grumbulluar rreth 150.000 euro, të cilat do të jenë të mjaftueshme për të kryer operacionin dhe për mbuluar shpenzimet e hospitalizimit. “Me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike, qytetarë të shumtë, biznese dhe organizata të ndryshme nga Kosova dhe diaspora nuk kanë kursyer për të mbështetur Naronin që të vazhdojë buzëqeshjen. Ekipi i mjekëve në Gjermani ka nisur përgatitjet dhe operacioni pritet të bëhet gjatë javëve në vijim”, thuhet në letrën e tij. “Ju sigurojmë që çdo cent i mbledhur për Naronin, që tejkalon shumën e shpenzimeve për operacionin e tij, do të dedikohet për ndonjë rast tjetër të ngjashëm ose do t’i jepet si donacion jetimores së qytetit. Edhe për këtë do sigurohemi që të bëjmë publik transaksionin bankar. Për fund, ne jemi të vetëdijshëm që në Kosovë ka shumë fëmijë si Naroni që kanë nevojë për ndihmë financiare për t’u mjekuar jashtë vendit. Por, si miq të prindërve të Naronit, kemi ndjerë për obligim që të angazhohemi me forcat tona dhe të kërkojmë ndihmën tuaj për të siguruar mjetet e nevojshme. Ndoshta rasti i Naronit, por edhe shumë fëmijëve të tjerë duhet të shërbej si thirrje për të nisur një peticion qytetar drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të rritet presioni për krijimin e sistemit të Sigurimeve shëndetësore, si zgjidhje e qëndrueshme e këtij problemi” Naroni është i lindur më 30 gusht 2012, ndërsa është diagnostikuar me ngushtim të kanaleve biliare. Kësisoj bila toksike, e cila prodhohet në mëlçi, nuk mund të rrjedhë dhe dëmton mëlçinë. Dhe, kur nuk trajtohet rezulton në cirozë të mëlçisë, që është kërcënuese për jetë dhe humbje të funksioneve të mëlçisë. Ekspertët shëndetësorë në klinikën gjermane të Regensburg janë shprehur të sigurt për shërimin e tij. Pagesa tani do t’i bëhet Klinikës Universitare në Regensburg ku edhe do të fillojë trajtimi dhe operacioni i Naronit. /Telegrafi/