Lansohet zyrtarisht loja “Pishpirik”

Siç edhe kemi paralajmëruar, të hënën është bërë lansimi zyrtar i lojës “Pishpirik”, lojë kjo e prodhuar nga ‘Puntoria Sh.P.K’. Në lansimin e këtij produkti, në mesin e të pranishmëve, ka qenë edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, i cili ka thënë se ndjehet i lumtur që po i ndihmon krijuesit e rinj në Kosovë “që idetë e tyre t’i finalizojnë në produkte dhe se kjo mbështetje do të ofrohet edhe në të ardhmen”. Tani e tutje, kjo lojë me letra e popullarizuar mjaft shumë tek ne, por edhe në rajon në përgjithësi, nuk do të jetë e kufizuar vetëm në ambientet shtëpiake, por të gjithë ata që kanë të hapur një llogari në Faceboook, do ta kenë mundësinë që ta luajnë këtë lojë on-line me miqtë e tyre, pa marrë parasysh se në cilin vend gjenden. Kjo lojë interesante është zhvilluar nga katër studentë të vyer të “Puntoria Sh.P.K”, Floriment Klinaku, Alket Rexhepi, Atdhe Konjufca dhe Pëllumb Hasani, të cilët vërtetë kanë arritur që të krijojnë një dizajn tejet atraktiv të kësaj loje. Qasja në lojën “Pishpirik” është e thjeshtë dhe gjatë luajtjes së saj mund të bisedohet përmes chat-it me lojtarët e tjerë, të dërgohen dhe pranohen dhurata.